ZKA nis auditimin e performancës për administrimin e mbi 11 mijë pronave nga AKKVP

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti i administrimit të pronave nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP)”, i cili përfshin periudhën 2023-2025.

Sipas njoftimit, qëllimi kryesor i këtij auditimi është vlerësimi i funksionimit të sistemit të qeverisjes, kontrollit të brendshëm dhe mekanizmave të llogaridhënies në AKKVP, me synim të përcaktohet nëse administrimi i pronave bëhet në mënyrë efikase, efektive dhe transparente.

Aktualisht, AKKVP ka nën administrim mbi 11,000 prona në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, të cilat përfshijnë prona banesore, komerciale dhe bujqësore. Këto prona përfaqësojnë një pasuri të konsiderueshme publike dhe kërkojnë menaxhim të kujdesshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet e qeverisjes së mirë.

Auditimi i ZKA-së pritet të ofrojë gjetje dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e administrimit të pronave, rritjen e transparencës, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe avancimin e llogaridhënies institucionale në AKKVP. /Kosova.info/


Go to TOP