Burjani: Propozimi i Prokurorisë për dënime ndaj liderëve të UÇK-së bazohet kryesisht në prova indirekte
Analisti Blerim Burjani ka komentuar propozimin e fundit të Prokurorisë për shqiptimin e dënimeve ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke vënë në pikëpyetje bazën provuese mbi të cilën është ndërtuar kjo kërkesë.
Sipas Burjanit, Prokuroria i ka paraqitur Gjykatës një propozim-kërkesë që mbështetet kryesisht në prova indirekte ose në dëshmi tërthore, ndërsa prova direkte, sipas tij, mungojnë. Ai thekson se Prokuroria si prova direkte ka cilësuar vetë dëshmitë, gjë që nuk përbën domosdoshmërisht standard të mjaftueshëm për një dënim të tillë.
Burjani sqaron se propozimi i Prokurorisë nuk nënkupton automatikisht dënim, pasi vendimi përfundimtar i takon Gjykatës, e cila duhet të veprojë mbi bazën e bindjes së lirë dhe profesionale duke analizuar dhe renditur provat si në favor ashtu edhe kundër të akuzuarve. Përzgjedhja dhe vlerësimi i provave, sipas tij, është ekskluzivisht në kompetencë të trupit gjykues.
Megjithatë, ai e konsideron të pazakontë faktin që, me një strukturë provash kryesisht indirekte dhe me mungesë të provave të drejtpërdrejta, të propozohet një dënim kaq i rëndë. Burjani rikujton se Prokuroria që nga fillimi ka pasur vështirësi në dëshmimin e fajësisë së bazuar në standarde të qarta, ndërsa tani, sipas tij, po mbështetet kryesisht në indice themelore për të justifikuar këtë propozim.
Sipas analistit, mënyra se si Gjykata do t’i vlerësojë këto prova do të jetë vendimtare për epilogun e procesit, i cili mbetet me rëndësi të madhe juridike dhe politike për Kosovën. /Kosova.info/
