Abdixhiku: LDK mbështet iniciativën e Presidentit Trump për themelimin e Bordit të Paqes
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është takuar sot me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të saj, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për vendin.
Abdixhiku ka bërë të ditur se gjatë takimit është informuar për iniciativën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për themelimin e Bordit të Paqes, një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes në nivel ndërkombëtar duke kontribuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Ai ka theksuar se në këtë takim i ka shprehur Presidentes Osmani mbështetjen e plotë të LDK-së për këtë iniciativë duke nënvizuar rëndësinë që ka forcimi i paqes, aleancave strategjike dhe veçanërisht marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka ritheksuar përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët strategjikë duke theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të ndërtojë një rol aktiv dhe të besueshëm në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/
