Presidentja si vegël e pushtetit dhe Presidenca si zyrë taktike e krizës

Shkruan: Hisen BERISHA

Situata pos zgjedhore dhe mirazhi politik e diplomatik i Presidentes nuk lënë hapësirë për një debat protokollar rreth sajë.

Diskursi publik na mbanë të lidhur për faktin se Kosova është futur në një krizë ku edhe institucioni që duhej ta ndalte çfarëdo bllokimi, po sillet si pjesë e tij.

Presidentja në ketë tast, nuk mund të jetë spektatore kur shteti paralizohet.

Nuk mund të luajë me Kushtetutën sot e të tërhiqet nesër duke përmendur si alibi për mos veprim “sigurinë kombëtare”.

Kjo nuk është neutralitet.

Kjo është hallkë e një skenari bllokues.

Dhe pyetja kryesore është brutale:

Çështja e Presidentes aktuale nuk është më thjesht një diskutim formal për kompetenca kushtetuese. Ajo është shndërruar në nyje politike të krizës së shtetit.

Sepse pozita e Presidentit nuk është figurë ceremoniale.

Në momente të tensionit institucional, duhet të jetë garantues i rendit kushtetues, jo pjesë e kalkulimeve politike që e thellojnë bllokadën. Pyetja është se Presidentja aktuale a po e mbron Kushtetutën, apo po e mbron pushtetin?

Sot problemi nuk është vetëm se çfarë ka bërë Presidentja aktuale, por çfarë nuk ka bërë dhe ajo që mund të konstatojmë është mungesa e qartësisë, mungesa e vendosmërisë dhe shmangia e rolit të arbitrit kushtetues, e kanë lënë shtetin në një gjendje pezullimi të rrezikshëm.

Presidentja aktuale është shndërruar në instrument të lojës së partive, ndaj dhe institucioni e ka humb kuptimin e vet.

Dhe kur institucioni i fundit që duhet të mbajë ekuilibrin bëhet pjesë e konfliktit, atëherë kriza nuk është më politike por është krizë e vetë shtetit.

Do të thotë se Kosova nuk pritët të ketë krizë vetëm në Kuvend dhe konsolidimin e tij, por pritet të ketë krizë në majë të shtetit.

Sepse Presidentja gjatë këtij mandati, nuk u dëshmua si arbitër kushtetues, është bërë pjesë e lojës politike.

Kur Presidentja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj e tërheq kërkesën duke folur për “rrezik të sigurisë kombëtare”, kjo nuk është përgjegjësi shtetërore.

Kjo është skenar bllokues.

Kjo është alibi.

Kjo është manovër.

Në vend që Presidenca të jetë shtylla e stabilitetit, ajo është shndërruar në zyrë taktike të krizës.

Kjo nuk është më çështje kompetencash.

Kjo është çështje pengmarrjeje institucionale.

Sepse kur Presidentja nuk e ndal pushtetin, atëherë pushteti e përdor Presidenten.

Dhe kur edhe Presidenca bëhet pjesë e bllokimit, atëherë nuk kemi më shtet funksional por kemi shtet të kapur.

Në këtë situatë, opozita nuk duhet të bëhet pjesë e një procesi që synon të legjitimojë këtë arkitekturë politike. Pra, opozita nuk duhet të legjitimojë një pushtet që relativizon shtetin.

Pjesëmarrja apo votimi për Presidentin nuk do të ishte akt stabiliteti.

Do të ishte akt bashkëpërgjegjësie.

Sepse ky pushtet nuk po i përdor institucionet kushtetuese për shtetndërtim, por për relativizim dhe çmontim të shtetit nga brenda.

Prandaj mungesa e opozitës përkatësisht partive që bartin trashëgiminë politike dhe morale të luftës çlirimtare nuk duhet interpretuar si bllokadë.

Ajo është akt mbrojtës politik.

Një refuzim për të ndërtuar një legjitimitet institucional të rremë, të bazuar në pazare dhe dizajnime politike, jo në vullnet të lirë sovran.

Ky pushtet nuk synon reformë.

Ai synon riformatim historik të narrativës shtetërore, nga lufta si akt themelues i shtetit, në luftën si “gabim politik” dhe nga pavarësia si qëllim final historik, në pavarësinë si status i përkohshëm dhe i negociueshëm deri te Republika e Kosovës si “shtet aksidental” siç e cilësojnë jugonostalgjikët e pushtetit.

Me kurdin politik të ekipit politik Osmani – Kurti, Kosova po shtyhet drejt ringjalljes së formulës së Millosheviçit: “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi.”

Kjo po rikthehet përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe Planit Franko-Gjerman, pa transparencë dhe pa legjitimitet popullor.

Ky nuk është normalizim.

Ky është rikthim i projektit serb përmes diplomacisë, aty ku dështoi me forcë.

Sot pyetja nuk është:

“A ka Presidenti rol ceremonial apo ekzekutiv?”

Pyetja është shumë më e rëndë:

A ishtë Presidentja aktuale garant i Kushtetutës, apo mburojë politike e një qeverie që po e rrëshqet Kosovën drejt modelit autokratik?

Kosova nuk ka nevojë për heshtje presidenciale.

Kosova ka nevojë për guxim institucional.

Sepse nëse Presidentja nuk foli kur shteti rrënohej, historia nuk do ta kujtojë si Presidente të unitetit, por si hallkë të bllokimit.

Go to TOP