Sadiku: Besimi i rinisë është barrë e rëndë – shpresa nuk mbahet me 100 euro
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka ndarë një reflektim personal mbi besimin që qytetarët, e sidomos të rinjtë, i kanë dhënë përmes votës duke e cilësuar atë si “nderin dhe barrën më të madhe”.
Sadiku thotë se shumë nga ata që e kanë votuar nuk e njohin personalisht, nuk dinë shumë për jetën apo karrierën e tij, por megjithatë i kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar. “Unë kam nevojë me ditë pse. Me aq sa kam fuqi, nuk kisha dashtë me zhgënjy askënd,” shprehet ai.
Ai rrëfen një moment të veçantë, kur një qytetar i ka thënë se e ka votuar sepse “i ka ngjallë rinisë shpresë”. “Barrë e rëndë është kjo, tybe. Me besu dikush që unë i ngjalli dikujt shpresë. Unë shpesh as vetes nuk i jap shumë shpresë,” thekson Sadiku duke shtuar se luftën më të madhe e ka me veten.
Megjithatë, deputeti i LDK-së prezanton një listë idesh konkrete që, sipas tij, i japin rinisë më shumë shpresë sesa fjalët:
Ai vendos theks të veçantë në edukimin cilësor, me përditësim të përvitshëm të kurrikulave, fokus në mendim kritik, aftësi digjitale dhe inteligjencë artificiale, orientim profesional dhe matje të universiteteve sipas punësimit real të të diplomuarve.
Në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacionit, Sadiku propozon bashkëpunim shtet–sektor privat për praktika të paguara, mësim zanatesh në shkollat e mesme, lehtësira tatimore për kompanitë që trajnojnë të rinjtë, qasje të startupeve në prokurim publik dhe inkubatorë teknologjikë në çdo qytet.
Ai kërkon që kultura dhe sporti të trajtohen si mjete zhvillimi dhe jo si luks, si dhe orientim në karrierë që nga mosha 14-vjeçare, me përfshirje të psikologëve dhe profesionistëve.
Sadiku ngre edhe çështjen e nepotizmit duke kërkuar ndalim të punësimeve “me WhatsApp”, CV anonime në sektorin publik dhe digjitalizim të plotë e transparencë në rekrutim dhe avancim.
Në fund, ai flet për nevojën e një qeverie digjitale, ku shërbimet publike të jenë online, të hapen API për inovacion, të ketë identitet dhe nënshkrim digjital, linja buxhetore të menaxhuara nga të rinjtë dhe bashkëpunim të strukturuar me diasporën.
“Nuk pres që kjo qeveri të bëjë diçka prej këtyre. Nuk i ka bërë për pesë vite. Ama pres që, pak para zgjedhjeve, do t’u japë nga 100 euro të rinjve… se aq dinë,” përfundon Sadiku. /Kosova.info/
