Zeqaj: PSD-ja nuk e rrëzon Kurtin, por ia zgjat pushtetin – Kosova ka nevojë për subjekt të ri politik
Gazetari Florent Zeqaj ka deklaruar se pretendimet se kryeministri Albin Kurti mund të rrëzohet politikisht nga Dardan Molliqaj dhe Partia Socialdemokrate (PSD) nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara.
Në një reagim publik, Zeqaj ka theksuar se kjo nuk ka të bëjë me karakterin personal të Molliqajt, por me faktin se ai dhe PSD-ja janë “politikisht të djegur” pikërisht nga vetë Albin Kurti, me të cilin dikur kanë bashkëpunuar ngushtë brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Zeqajt, PSD-ja do të kishte pasur një shans real politik vetëm nëse do të kishte ndërmarrë disa veprime të qarta dhe publike, përfshirë kërkimfaljen për dëmet e shkaktuara gjatë kohës sa ishin promotorë fanatikë të VV-së, zbardhjen e plotë të së vërtetës për rastin e Astrit Deharit, distancimin nga sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe bashkëpunimin me organet e drejtësisë për planet antishtetërore të përgatitura në të kaluarën.
Po ashtu, ai thekson se PSD-ja nuk u distancua as nga qeverisja dhe korrupsioni i ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe as nuk sqaroi publikisht arsyet reale të përçarjes dhe përjashtimit të tyre nga Albin Kurti.
“Prandaj, sot, Dardani dhe PSD-ja nuk janë alternativë, por zgjatim i VV-së. Ata nuk e rrëzojnë Albinin – përkundrazi, me aktivitetin e tyre vetëm ia zgjasin pushtetin dhe e bllokojnë daljen në pah të një subjekti të ri politik,” ka shkruar Zeqaj.
Në përfundim, gazetari vlerëson se koha politike e Dardan Molliqajt dhe PSD-së ka përfunduar dhe se, megjithëse kanë të drejtë demokratike të garojnë në zgjedhje, rezultati i tyre politik do të mbetet minimal.
“Kosova ka nevojë urgjente për një subjekt të ri politik,” përfundon Zeqaj. /Kosova.info/
