Kusari: Padia ndaj FAZ do ta dëmtonte rëndë Presidencën dhe reputacionin e Kosovës

Ekspertja e lirisë së medias, Flutura Kusari, ka reaguar lidhur me paralajmërimet për një padi të mundshme nga Presidentja Vjosa Osmani ndaj gazetarit gjerman Michael Martens apo gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) duke vlerësuar se një veprim i tillë do të ishte i dëmshëm si për institucionin e Presidentes ashtu edhe për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

Kusari ka bërë të ditur se e ka lexuar analizën e Martens në tërësi dhe, sipas njohurive të saj në fushën e mbrojtjes së reputacionit, shkrimi është në rregull ligjërisht. Ajo thekson se analiza trajton një çështje me interes të lartë publik, konkretisht mënyrën e zhvillimit të fushatës presidenciale, çështje të cilat gëzojnë mbrojtje të fortë gjyqësore.

Sipas saj, shkrimi përmban opinione, vlerësime dhe analiza të bazuara në njohuritë e autorit për Kosovën dhe në burime konfidenciale, ndërsa opinionet nuk i nënshtrohen kriterit të verifikimit dhe për këtë arsye mbrohen gjerësisht nga ligji.

Kusari sqaron se i vetmi fakt i ri i përmendur në shkrim është pretendimi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka siguruar Osmanit një ulëse në Bordin e Paqes, fakt i cili, sipas saj, nuk është kontestuar nga Presidentja. Ajo shton se faktet janë të verifikueshme dhe, nëse ky pretendim nuk është i saktë, Osmani duhet ta trajtojë pikërisht këtë çështje.

Duke folur për pozitën institucionale të Presidentes, Kusari nënvizon se ajo mban funksionin më të lartë shtetëror dhe, si e tillë, veprimet e saj politike janë subjekt i kritikës publike, edhe kur kjo kritikë është e ashpër apo e pakëndshme. Ajo thekson se liria e shprehjes dhe e medias u mundëson gazetarëve të kritikojnë dhe të kërkojnë llogari nga pushtetarët.

Kusari e quan shqetësuese përmendjen e ligjit penal nga Zyra e Presidentes si formë kërcënimi ndaj gazetarit duke kujtuar se në Gjermani shpifja trajtohet përmes ligjit civil, si dhe përdorimin e termit “dezinformatë” për një shkrim të publikuar nga një gazetë prestigjioze si FAZ.

Në përfundim, ajo vlerëson se një padi e tillë, qoftë në gjykatat gjermane apo në çdo gjykatë ku sundon ligji, nuk ka asnjë shans për t’u fituar. Sipas Kusarit, pasoja e vetme do të ishte krijimi i një reputacioni negativ për Kosovën, si vend që përfaqësuesit institucionalë përdorin padi të pabaza dhe abuzive kundër gazetarëve dhe mediave ndërkombëtare.

“Ky lloj reputacioni nuk na duhet”, përfundon Kusari. /Kosova.info/


Go to TOP