Kryeziu: Hyrja në pushtet pa marrëveshje politike kthehet në akomodim personal, jo rritje elektorale

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar bashkëngjitjen e subjekteve opozitare në pushtet pa një marrëveshje të qartë politike duke theksuar se një veprim i tillë nuk prodhon politika, ligje apo vendimmarrje me peshë, por reduktohet në akomodim personal të stafit partiak brenda pushtetit.

Sipas Kryeziut, kjo mënyrë e të bërit politikë nuk e forcon partinë dhe as nuk krijon frymëzim te qytetarët. Përkundrazi, ajo dështon të shërbejë si motiv për zgjerimin e elektoratit dhe e zhvesh pjesëmarrjen në qeverisje nga përmbajtja programore.

Ai thekson se të qenët në pushtet pa një ide të qartë të politikbërjes nuk garanton rritje të bazës elektorale. Përjashtim, sipas tij, bëjnë vetëm rrethet e ngushta të grupeve të interesit, përfshirë strukturat partiake, të cilat orientohen drejt përfitimit të vendeve të punës dhe beneficioneve të tjera.

Kryeziu nënvizon se pa marrëveshje politike substanciale dhe objektiva të qarta qeverisëse, pjesëmarrja në pushtet mbetet një ushtrim formal, pa ndikim real në përfaqësimin qytetar dhe pa vlerë afatgjate për demokracinë. /Kosova.info/


Go to TOP