Kryeziu: KQZ e politizuar po e rrezikon demokracinë dhe po e çon Kosovën drejt krizës institucionale

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke e cilësuar këtë institucion si të politizuar, të paaftë dhe drejtpërdrejt përgjegjës për dëmtimin e demokracisë zgjedhore dhe interesave kombëtare të Republikës së Kosovës.

Sipas Kryeziut, papërgjegjësia e anëtarëve të KQZ-së dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit kanë cenuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor duke e zhbërë reputacionin që Kosova kishte ndërtuar ndër vite si shembull pozitiv në zhvillimin e demokracisë zgjedhore, përfshirë edhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë.

Ai e ka cilësuar si skandaloz dhe të pajustifikueshëm vendimin për të mos publikuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe duke theksuar se ky veprim përbën cenim serioz të së drejtës së përfaqësimit politik dhe ka shkaktuar reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare.

“Ky vendim rrezikon të prodhojë vonesa serioze në procesin e certifikimit të zgjedhjeve duke e shtyrë vendin drejt konsumimit të afateve kushtetuese dhe duke e rrezikuar drejtpërdrejt konstituivin e institucioneve”, ka theksuar Kryeziu duke paralajmëruar për një krizë të re institucionale.

Sipas tij, në çdo demokraci funksionale, personat përgjegjës për këtë degradim institucional do të largoheshin menjëherë nga detyra dhe do të mbanin përgjegjësi politike dhe morale. Vazhdimi i tyre në KQZ, sipas Kryeziut, përbën cenim serioz të vlerave demokratike dhe shkelje flagrante të parimeve të shtetit ligjor.

Në reagimin e tij, Kryeziu ka ngritur edhe çështjen e rolit të anëtarëve të KQZ-së që vijnë nga partitë opozitare duke kërkuar sqarim publik për përfaqësimin e tyre real, pasi – sipas tij – çdo votë e tyre po rezulton e nënshtruar dhe e diktuar nga vullneti i partisë në pushtet.

“Në këto rrethana, partitë opozitare dhe përfaqësuesit e tyre duhet të aderojnë hapur në Lëvizjen Vetëvendosje dhe ta formalizojnë realitetin e një opozite që realisht po zhbëhet”, ka përfunduar Kryeziu. /Kosova.info/


Go to TOP