Veliu: Asnjë strukturë e LDK-së nuk është mbi vullnetin e anëtarësisë
Ish kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës duke theksuar se anëtarësia është themeli i partisë dhe se asnjë strukturë drejtuese nuk mund të vendosë mbi vullnetin e saj.
Në një deklaratë publike, Veliu ka theksuar se pas humbjes së thellë në zgjedhje, LDK nuk mund të rigjallërohet duke u mbështetur në struktura të mbyllura dhe të kontrolluara, por vetëm duke dëgjuar zërin e bazës dhe duke reflektuar realisht mbi mesazhin e anëtarëve dhe votuesve.
“Anëtarësia është themeli i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Asnjë kryetar, asnjë kryesi, as Këshilli i Përgjithshëm dhe as Kuvendi nuk është mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së”, ka deklaruar Veliu.
Ai ka theksuar se LDK nuk është pronë e askujt dhe as e një rrethi të ngushtë njerëzish, por një shtëpi politike që u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë ruajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë ndër vite.
Sipas Veliut, përpjekjet për ta kthyer partinë në një strukturë personale ose të mbyllur rrezikojnë themelet e saj dhe devijojnë rrugën politike të LDK-së.
“Historia e ka treguar se ata që i presin rrënjët, çajnë themelin dhe e shndërrojnë shtëpinë e përbashkët në strehë personale, nuk mbahen mend si kryetarë, por si i fundit që del prej saj”, ka theksuar ai.
Në përfundim të reagimit të tij, Veliu ka bërë thirrje për ruajtjen e vlerave themelore të LDK-së dhe për kthim te parimet mbi të cilat është ndërtuar kjo parti.
“Zoti e ruajt LDK-në”, ka përfunduar Veliu. /Kosova.info/
