Arrestohen dy të dyshuar dhe sekuestrohen mbi 6 kg marihuanë dhe mbi 3 kg heroinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, kanë ndaluar një veturë dhe kanë sekuestruar mbi 9 kilogramë drogë. Sipas forcave të rendit, dy persona janë arrestuar.

“Në veturë janë hasur dy persona meshkuj, shtetas të Maqedonisë së Veriut. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësi të provave materiale: 20 paketime me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 6.4 kg; 6 paketime me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit heroinë, me peshë 3.2 kg; dy telefona mobil dhe një veturë”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, vlerësimi i çmimit të drogës së sekuestruar kap shifrën rreth 80 mijë euro.

“Të gjitha veprimet lidhur me rastin janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe, me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit, dy të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë” – thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP