KHAIA dhe KINSIV thellojnë bashkëpunimin për rritjen e sigurisë së aviacionit civil
Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), i udhëhequr nga Kryesuesi i KHAIA-së, z. Mirsim Beqiri, ka pritur dje në takim Komitetin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KINSIV) nga Republika e Maqedonisë së Veriut, të kryesuar nga z. Marjan Prposki, së bashku me stafin e tij.
KHAIA dhe KINSIV kanë një marrëveshje bashkëpunimi që nga viti 2021 dhe ndër vite kanë ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në fushën e avancimit profesional, shkëmbimit të përvojave dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve aeronautike.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional, përfshirë organizimin e trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimin e ekspertizës profesionale dhe koordinimin në rastet e hetimeve komplekse. Të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një faktor kyç për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e nivelit të sigurisë së aviacionit civil në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Përfaqësuesit e të dy institucioneve u shprehën të gatshëm që bashkëpunimi të vazhdojë dhe të zgjerohet edhe në të ardhmen, në funksion të përmbushjes së standardeve ndërkombëtare të sigurisë ajrore. /Kosova.info/
