Promovohet libri ‘Klithma’ i autores Alketa Gashi Fazliu

Në Institutin Albanologjik në Prishtinë u promovua libri “Klithma” i shkrimtares Alketa Gashi Fazliu. Në promovim morën pjesë studiues, profesorë, akademikë dhe personalitete të jetës kulturore e diplomatike.

Libri trajton krimet e kryera ndaj popullit shqiptar, me theks të veçantë mbi vuajtjet e fëmijëve gjatë luftës në Kosovë duke sjellë rrëfime që sfidojnë harresën dhe kërkojnë drejtësi.

Flora Brovina, dëshmitare e drejtpërdrejtë e krimeve të luftës, ndau përvoja tronditëse nga ajo periudhë duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për viktimat e pafajshme.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se “Klithma” është një zë i fuqishëm kundër harresës dhe vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin etik të autores.

Ndërkaq, akademiku Pëllumb Xhufi e cilësoi librin si dëshmi të rëndësishme historike mbi vuajtjet dhe rezistencën e popullit shqiptar.

Autorja Alketa Gashi Fazliu tha se qëllimi i librit është t’u përcillet brezave të rinj e vërteta për krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve duke e cilësuar “Klithma” si një ndërgjegje kolektive që nuk duhet të heshtë. Po ashtu u hap edhe ekspozita  ‘Klithma’ e Alketa Gashi Fazliu. /Kosova.info/

Go to TOP