Peci: Nuk do ta lejojmë imponimin e Kryeshefit në KRM “Uniteti” nga komunat me pak ose aspak aksione
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar publikisht ndaj përpjekjeve të disa komunave aksionare në ndërmarrjen rajonale të pastrimit KRM “Uniteti”, duke i cilësuar të papranueshme dhe të turpshme tentimet për të ndikuar në zgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.
Peci ka theksuar se Komuna e Skënderajt, e cila zotëron vetëm 10 për qind të aksioneve në KRM “Uniteti”, nuk mund dhe nuk duhet të vendosë se kush do të jetë Kryeshefi Ekzekutiv që do të përkujdeset për shërbimet e pastrimit në Mitrovicë.
Po ashtu, ai ka kritikuar ashpër Komunën e Vushtrrisë, e cila, sipas tij, ka hequr dorë nga kjo ndërmarrje duke krijuar një kompani të re komunale, por megjithatë po tenton të ndikojë në vendimmarrje për ndërmarrjen që shërben për Mitrovicën.
“Nuk i kanë besuar shërbimin kësaj ndërmarrjeje, por dëshirojnë të na zgjedhin Kryeshefin”, ka deklaruar Peci.
Kryetari i Mitrovicës ka bërë të ditur se gjatë javëve dhe muajit të fundit, Komuna ka ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e pastërtisë në qytet, përfshirë subvencionimin e ndërmarrjes rajonale KRM “Uniteti”, me qëllim të garantimit të një ambienti më të pastër për qytetarët.
Sipas Pecit, KRM “Uniteti” ndodhet në një gjendje të rëndë financiare dhe menaxheriale, por ai ka theksuar se kësaj gjendjeje po i vjen fundi, pavarësisht përpjekjeve të bordit të vjetër për ta mbajtur gjallë këtë situatë përmes imponimit të vendimeve ndaj aksionarit kryesor.
Ai ka rikujtuar se Komuna e Mitrovicës është aksionari kryesor në këtë ndërmarrje, me 61.4 për qind të aksioneve, dhe se nuk do të lejojë që t’i imponohet zgjedhja e Kryeshefit Ekzekutiv.
“JO, NUK DO TA LEJOJMË. Do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore dhe administrative që një gjë e tillë të pamundësohet”, ka përfunduar Peci.
Në fund të reagimit, Peci ka theksuar se në fotografitë e publikuara janë pasqyruar disa nga angazhimet e Komunës së Mitrovicës për një qytet sa më të pastër. /Kosova.info/
