Sadiku: Mos i ndërprisni studimet – studentët janë motori i ndryshimeve pozitive në Kosovë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, u ka drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë dhe motivues studentëve në Kosovë duke pranuar hapur dështimet e politikës në përmirësimin e sistemit arsimor dhe duke i inkurajuar të mos dorëzohen.
Sadiku theksoi se arsimi në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të dobëtit në Evropë, ndërsa pranoi se politikanët, përfshirë edhe veten, kanë zhgënjyer brezat e rinj në shumë aspekte.
“E di që arsimi në Kosovë është ndër më të dobëtit në Evropë. E di që ne, si politikanë dhe ata para nesh, ju kemi zhgënjyer dhe kemi dështuar në shumë aspekte,” ka shkruar Sadiku.
Ai u bëri thirrje studentëve që të mos i ndërpresin studimet duke theksuar se fakulteti nuk shërben vetëm për përgatitje profesionale, por edhe për formimin njerëzor dhe përballjen me sfidat e jetës.
“Mos u ndalni dhe mos u zhgënjeni. Mos i ndërprisni studimet. Fakulteti nuk është vetëm për profesionin. Ai të mëson të mos dorëzohesh dhe të përgatit për atë që të pret në jetë,” theksoi ai.
Sadiku sugjeroi gjithashtu shfrytëzimin e kurseve online falas që ofrohen nga universitetet më prestigjioze në botë duke përmendur si shembull MIT-in, si një mundësi reale për rritjen e aftësive dhe konkurrencës në tregun e punës.
“Sot keni qasje në qindra kurse online, falas, me ligjërata të plota. Dëgjoni nga dy orë në ditë për tre muaj dhe do të përgatiteni për çdo intervistë pune më mirë se shumica e konkurrencës,” u shpreh ai.
Në fund, deputeti i LDK-së i inkurajoi të rinjtë të vazhdojnë të kritikojnë politikën dhe të kërkojnë më shumë përgjegjësi duke i cilësuar studentët si shtyllë të ndryshimit pozitiv në Kosovë.
“Na kritikoni. Kërkoni më shumë. Më shpejt. Më qartë. Ju keni qenë dhe jeni motori i ndryshimeve pozitive në Kosovë,” përfundoi Sadiku. /Kosova.info/
