Ndërron jetë gazetarja Qefsere Nishevci, një zë i përkushtuar i gazetarisë kosovare
Ka ndërruar jetë gazetarja kosovare, Qefsere Nishevci duke lënë pas një kontribut të çmuar në gazetarinë dhe jetën publike të Kosovës.
Qefsere Nishevci i përkiste brezit të gazetarëve që me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet kontribuuan në zhvillimin e gazetarisë kosovare, veçanërisht në periudha të rëndësishme shoqërore e politike. Ajo ishte e diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe karrierën e saj profesionale e kishte nisur në vitin 1982 si gazetare në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku la gjurmë të dukshme në informimin dhe edukimin e brezave të rinj.
Me punën dhe angazhimin e saj, Nishevci u dallua për qasjen serioze ndaj profesionit dhe përkushtimin ndaj fjalës së lirë duke fituar respektin e kolegëve dhe lexuesve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e saj duke vlerësuar kontributin e Qefsere Nishevci në gazetarinë e vendit.
Humbja e saj përbën një humbje të ndjeshme për komunitetin e gazetarëve dhe për publikun kosovar. /Kosova.info/
