KEK përfundon me sukses sanimet dhe rifillon operimin e Njësisë B2

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se Njësia B2 ka përfunduar me sukses procesin e sanimeve dhe ekzaminimeve të pajisjeve kryesore, në përputhje të plotë me planin dhe dinamikën e parashikuar.

Sipas njoftimit, Njësia B2 është startuar me sukses dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 20:26 duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit të energjisë elektrike dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik në vend.

Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e KEK sh.a. për një operim të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, si dhe profesionalizmin e ekipeve teknike dhe menaxhuese në realizimin në kohë të ndërhyrjeve preventive dhe riparimeve të domosdoshme.

KEK sh.a. ka falënderuar stafin teknik dhe të gjithë punonjësit për angazhimin dhe punën e palodhur, të cilët mundësuan rifillimin e operimit të Njësisë B2 pa vonesa dhe në përputhje me standardet më të larta operacionale.

Korporata Energjetike e Kosovës ka ritheksuar angazhimin e saj për të garantuar vazhdimësinë e prodhimit, si dhe stabilitetin dhe besueshmërinë e plotë të sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP