Fitore e Club Brugge, Manchester City befasohet nga skuadra norvegjeze
Club Brugge i ka mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në rrethin tjetër të Champions League, ndërsa Bodø/Glimt ka shkaktuar një nga befasitë më të mëdha duke mposhtur Manchester City.
Këto dy ndeshje janë zhvilluar me fillim nga ora 18:45,kurse shtatë ndeshje të tjera zhvillohen duke filluar nga ora 21:00.
Club Brugge ka shënuar fitore bindëse 4:1 ndaj Kairat Almaty në ndeshjen e zhvilluar në Kazakistan.
Skuadra belge ka qenë më e mirë gjatë gjithë takimit dhe ka kaluar në epërsi me golin e Aleksandar Stankovic, pas një gabimi të portierit vendas. Më pas, kapiteni Hans Vanaken e ka dyfishuar rezultatin para pushimit.
Në pjesën e dytë, Romeo Vermant dhe Brandon Mechele kanë shënuar edhe dy gola të tjerë për Brugge, duke e siguruar fitoren.
Kairat ka realizuar golin e vetëm në minutat shtesë, por kjo humbje e eliminon përfundimisht nga gara.
Club Brugge tani do ta kërkojë kualifikimin në ndeshjen e fundit ndaj Olympique Marseille.
Ndërkohë, në Norvegji është regjistruar një rezultat historik, ku Bodø/Glimt e ka mposhtur Manchester City me rezultat 3:1, duke e fituar për herë të parë një ndeshje ndaj një klubi anglez në Champions League.
Heroi i vendasve ka qenë Kasper Høgh, i cili ka shënuar dy gola në pjesën e parë, pas asistimeve të Ole Didrik Blomberg.
Në pjesën e dytë, Jens Petter Hauge ka realizuar një tjetër gol për 3:0.
City ka reaguar me golin e Rayan Cherki, por shpresat e anglezëve janë shuar pas përjashtimit me karton të kuq të Rodrit.
Me këtë fitore, Bodø/Glimt futet seriozisht në garë për kualifikim në fazën tjetër, ndërsa Manchester City rrezikon të mbetet jashtë tetëshes së parë para ndeshjes së fundit.
