Rritje e konsumit dhe kufizime në import, KESCO apelon për kursim energjie
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar konsumatorët dhe opinionin publik se sistemi elektroenergjetik i vendit aktualisht po përballet me sfida të rëndësishme për shkak të temperaturave të ulëta dhe kërkesës së shtuar për ngrohje.
KESCO apelon për kursim të energjisë, sistemi elektroenergjetik operon në kushte të vështira dimërore
Sipas KESCO-s, në periudhat kur prodhimi vendor është i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment.
KESCO thekson se po punon intensivisht për shfrytëzimin e të gjitha mundësive të disponueshme, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra. Megjithatë, në situata kur kërkesa është shumë e lartë, sigurimi i energjisë për të gjithë konsumatorët paraqet sfida të mëdha.
Në këtë kontekst, KESCO i bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të përdorin me kujdes energjinë elektrike dhe të ndërmarrin masa për kursimin e saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Kursimi është i rëndësishëm si për arsye teknike ashtu edhe operacionale.
Korporata siguron se mbetet e përkushtuar për përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet relevante për ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike.
Faleminderit qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe sfiduese. /Kosova.info/
