Ymeri: Padia e KEK-ut është presion politik, nuk do të hesht

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar publikisht pas padisë së ngritur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) duke e cilësuar atë si tentativë frikësimi dhe përndjekje politike.

Ymeri ka sqaruar fillimisht se, nga aspekti ligjor, deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar apo ftesë nga Gjykata. Ajo thekson se do të përmbahet nga përgjigjet formale juridike derisa të njoftohet sipas procedurave ligjore, por se publikimi i padisë në media e ka detyruar të reagojë publikisht.

Sipas saj, padia e KEK-ut bie ndesh me Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Ajo i referohet nenit 5.4 të Ligjit Nr. 02/L-65, i cili ndalon shprehimisht autoritetet publike të kërkojnë dëmshpërblim për shpifje. “KEK-u është 100% ndërmarrje shtetërore dhe juristët e saj e dinë këtë. Padia është dorëzuar vetëm për tendencë frikësimi,” ka deklaruar Ymeri.

Deputetja ka ngritur shqetësim edhe për publikimin e adresës së saj të banimit duke e cilësuar këtë veprim si shkelje flagrante të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Më tej, Ymeri ka theksuar se KEK menaxhohet nga të emëruar politikë dhe se padia, sipas saj, përbën një akt të përndjekjes politike të orkestruar nga kryeministri Albin Kurti dhe strukturat drejtuese në KEK.

Ajo ka theksuar se analizat dhe deklarimet e saj janë bazuar gjithmonë në fakte të verifikueshme publikisht dhe në realitetin e përjetuar nga qytetarët, siç janë ndërprerjet e energjisë dhe shtrenjtimi i rrymës. Ymeri ka përmendur edhe faktin se ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, aktualisht po gjykohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe “dështimet teknike” që, sipas saj, ndodhin në momente kur çmimet e importit të energjisë janë në kulm.

“Të ngresh zërin për këto çështje nuk është shpifje, është detyrë,” ka përfunduar deputetja e LDK-së duke theksuar se nuk do të heshtë përballë asaj që e quan presion institucional dhe politik. /Kosova.info/


Go to TOP