Hamza: PDK-ja hyn në fazë të re riorganizimi, synojmë një parti më të fortë dhe më të hapur
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës po hyn në një fazë të re riorganizimi duke e cilësuar këtë proces si të domosdoshëm për forcimin e partisë dhe rritjen e rolit të saj politik në vend.
Hamza bëri të ditur se sot ka diskutuar me kryetarët e degëve rreth zgjedhjeve të brendshme në parti, të cilat, sipas tij, përbëjnë një hap kyç drejt ndërtimit të një PDK-je më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar. Ai theksoi se ambicia e PDK-së është të synojë më shumë, pasi, siç u shpreh, Kosova ka nevojë për më shumë angazhim dhe përgjegjësi politike.
Sipas Hamzës, riorganizimi i partisë kërkon punë të vazhdueshme në terren, degë aktive dhe funksionale, si dhe krijimin e hapësirave më të mëdha për të rinjtë në të gjitha nivelet e strukturës partiake.
“Vetëm përmes këtij angazhimi të përbashkët mund të ndërtojmë një PDK më afër qytetarëve dhe gjithmonë në shërbim të Kosovës,” ka theksuar Hamza.
Ai nënvizoi se zgjedhjet e brendshme dhe riorganizimi nuk janë qëllim në vetvete, por mjet për ta kthyer PDK-në në një forcë politike më përfaqësuese, më dinamike dhe më të përgatitur për sfidat e ardhshme politike në vend. /Kosova.info/
