Kryeziu: Hetim i plotë i manipulimeve zgjedhore, për të rikthyer besimin e qytetarëve

Ismet Kryeziu nga KDI ka reaguar lidhur me rastet e dyshuara të shtimit të votave nga komisionerë zgjedhorë. Ai thekson se shumë kandidatë po distancohen publikisht nga këto veprime, duke deklaruar se votat u janë shtuar pa dijeninë e tyre.

“Është e pritshme që individët të deklarohen të pafajshëm deri në përfundimin e procedurave ligjore, por mbetet e vështirë të besohet se manipulimi masiv është bërë vetëm nga simpati apo ‘dashuri’ për kandidatë të caktuar, pa ndonjë ndikim, nxitje apo interes të caktuar,” tha Kryeziu.

Ai nënvizon se është detyrë e institucioneve të drejtësisë të kryejnë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm për të zbardhur të gjitha rrethanat e procesit zgjedhor, duke përfshirë motivet, format dhe autoritetin e ndikimit.

“Këtë mund ta garantojmë vetëm përmes një hetimi të mirëfilltë dhe ndëshkimit penal të të gjithë atyre që rezultojnë të përfshirë. Vetëm kështu mund të rikthehet besimi i qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve dhe në demokraci,” përfundon Kryeziu. /Kosova.info/


Go to TOP