Cakolli: Manipulimi i votave ka përmasa industriale, Prokuroria po hesht
Eksperti i zgjedhjeve dhe njohësi i proceseve zgjedhore, Eugen Cakolli, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së veprimit të Prokurorisë lidhur me dyshimet serioze për manipulim të votave të kandidatëve në disa komuna dhe vendvotime në vend.
Cakolli ka ngritur pyetjen se ku është dhe çfarë po pret Prokuroria, kur sipas tij, manipulimet kanë marrë përmasa “industriale” dhe janë të dokumentuara qartë në Qendrën e Numërimit të Kosovës (QKN).
Ai thekson se emrat e komisionarëve për secilën tavolinë të numërimit dihen, por nënvizon se këto manipulime nuk mund të jenë kryer individualisht nga ta. Sipas Cakollit, dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra të tilla në nivel komune, të përqendruara kryesisht te kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre, nuk mund të konsiderohen as rastësi dhe as gabim njerëzor.
“Ky është model i qartë manipulimi dhe jo devijim sporadik,” vlerëson ai duke shtuar se përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është shumë e mundshme.
Për këtë arsye, Cakolli kërkon që hetimet penale të nisin menjëherë dhe të jenë gjithëpërfshirëse duke mos u ndalur vetëm te komisionarët, por duke përfshirë edhe kandidatët që potencialisht kanë përfituar nga këto manipulime.
Sipas tij, vetëm një hetim serioz dhe i paanshëm mund ta rikthejë besimin e qytetarëve në integritetin e procesit zgjedhor. /Kosova.info/
