Haziri: Vjedhja e votës është simptomë e një gare të sëmurë për pushtet
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj dyshimeve për manipulime dhe vjedhje të votës duke i cilësuar ato si pasojë e një mentaliteti të dështuar politik.
Sipas Hazirit, në një realitet ku “gara bëhet se kush qeveris më keq”, në mënyrë të pashmangshme lind edhe një tjetër garë – ajo se “kush vjedh më shumë”. Ai thekson se në këtë logjikë të mbrapshtë, vjedhja e votës shihet si mjeti i vetëm për të mbijetuar politikisht.
“Vjedhja e votës është e vetmja mundësi që u duhet atyre që nuk dinë dhe nuk duan të qeverisin me ndershmëri,” ka deklaruar Haziri.
Ai ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë ndaj organeve të rendit dhe drejtësisë që të hetojnë deri në detaje, pa kompromis, atë që e quan “makineri të vjedhjes së vullnetit të popullit”.
Në fund, Haziri ka përdorur një ton ironik dhe kritik duke e cilësuar situatën si të turpshme për demokracinë: “Lavdi ju qoftë marria!”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/
