“Treg i lirë pa rrymë”: Alajdin Fusha ironizon realitetin ekonomik të Kosovës në 2026

Afaristi Alajdin Fusha ka reaguar ashpër ndaj gjendjes ekonomike dhe energjetike në Kosovë duke e cilësuar vitin 2026 si një kthim pas në kohë, por me kosto shumë më të larta për bizneset dhe qytetarët.

Në një reagim publik, Fusha shkruan se Kosova ka hyrë në “treg të lirë”, por pa energji elektrike, me ndërprerje të planifikuara dhe me fatura që, sipas tij, nuk kanë as logjikë e as lidhje me realitetin ekonomik. Ai thekson se bizneset nuk po konkurrojnë më në treg për cilësi apo çmime, por për kapacitet gjeneratorësh, sasi nafte dhe mbijetesë.

“Shteti na ka kthyer krenarisht në vitin 2000, por me çmime të vitit 2026”, shprehet Fusha duke shtuar se energjia elektrike është shndërruar në luks, ndërsa gjeneratori në strategji ekonomike.

Sipas tij, “tregu i lirë” në praktikë nënkupton liri për të paguar më shtrenjtë, për të punuar në errësirë dhe për të falimentuar pa rrymë. Ai ironizon se errësira po bëhet “politika më stabile” në vend.

Reagimi i afaristit vjen në një kohë kur shumë biznese po ankohen për pasiguri energjetike, rritje të kostove operative dhe mungesë të kushteve elementare për funksionim normal duke ngritur shqetësime serioze për konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP