Qirezi: Shkrirja e institucioneve serbe në Kosovë është në përputhje me Brukselin dhe Ohrin

Analisti Arben Qirezi ka vlerësuar se iniciativa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për shkrirjen e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të Serbisë në Kosovë është plotësisht në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, të cilat parashikojnë njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

Sipas Qirezit, një veprim i tillë nuk do t’i dëmtonte serbët në Kosovë. Përkundrazi, ai thotë se ata do të jetësuanin autonominë e gjerë që ua garanton Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Megjithatë, Qirezi thekson se ky proces duhet të realizohet në koordinim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai po ashtu ka kërkuar që statuti evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, si një gjest vullneti të mirë dhe për të shmangur konceptin e “vetmenaxhimit”, të cilin, sipas tij, Kurti e ka pranuar në Ohër në vitin 2023 dhe që është më i gjerë sesa vetë Asociacioni.

Qirezi ka nënvizuar se rëndësi e veçantë duhet t’i jepet forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës duke e konsideruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës si hapin e parë kyç, pa cenuar sovranitetin e brendshëm të vendit. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese përbën një garanci të mjaftueshme.

Në fund, analisti ka theksuar se pas rezultatit zgjedhor prej 51 për qind të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka më nevojë për lojëra politike apo zvarritje të proceseve për qëllime elektorale. /Kosova.info/


Go to TOP