Mustafi: Ligjet e reja të Kosovës sjellin qartësi juridike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, jo penalizim

Ragmi Mustafi u ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë të shfrytëzojnë periudhën informuese deri më 15 mars për rregullimin e statusit të tyre ligjor, pas nisjes së zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës.

Sipas Mustafit, këto ligje, të harmonizuara me standardet evropiane, nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve nga Lugina në Kosovë dhe nuk kanë për qëllim penalizimin e tyre, por synojnë vendosjen e qartësisë juridike në një fushë që për vite me radhë ka qenë e paqartë nga ana administrative.

Ai theksoi se periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e qëndrimit dhe dokumentacionit, eliminimin e pasigurisë administrative dhe krijimin e mundësive shtesë për qytetarët që kanë nevojë të rregullojnë statusin e tyre ligjor.

Mustafi rikujtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, që para tri vitesh, ka vënë në funksion Formularin për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për situata të jashtëzakonshme, i cili u mundëson qytetarëve apatridë apo të pasivizuar nga Lugina e Preshevës të aplikojnë dhe të pajisen me dokumente civile. Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të padrejtësive të shkaktuara nga politikat diskriminuese të pasivizimit administrativ në Serbi.

Po ashtu, ai nënvizoi se prej dy vitesh ekziston baza ligjore që qytetarët e Luginës së Preshevës të bartin pronat e paluajtshme në emrin e tyre duke u garantuar siguri juridike dhe duke hequr pengesat administrative që i kanë përjashtuar deri tani nga e drejta elementare e pronësisë.

Në këtë kontekst, Mustafi tha se procedurat për aplikim për dokumente janë lehtësuar ndjeshëm, ndërsa pritet që Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë Ligjin e ri për Shtetësinë, i cili do të krijojë një kornizë edhe më gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Ai paralajmëroi se pas 15 marsit zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë dhe çdo neglizhencë apo mosveprim mund të sjellë pasoja administrative të panevojshme. Për këtë arsye, gjatë kësaj periudhe do të ketë informim të gjerë dhe angazhim institucional, që duhet të pasohet nga bashkëpunimi dhe veprimi konkret i qytetarëve.

“Në fund, Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron, i rregullon dhe i trajton me dinjitet e barazi, pa cenuar realitetin e tyre jetësor në vendbanimet e tyre,” përfundoi Mustafi. /Kosova.info/


Go to TOP