AUV bllokon dhe nis asgjësimin e formulës për fëmijë me substancë të rrezikshme të importuar nga Holanda
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se, bazuar në informacionin e pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me nr. 810066, referencë 2025.9963, është konstatuar prania e substancës Cereulide në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Holanda.
Sipas njoftimit, subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar gjithsej 462 copë të këtij produkti në Republikën e Kosovës për kompaninë “Rossmann Kosova”.
AUV bën të ditur se, në bashkëpunim me kompaninë importuese, produkti është bllokuar menjëherë dhe se në ditët në vijim do të nisë procesi i asgjësimit të tij, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Agjencia thekson se, pavarësisht sfidave dhe mungesës së inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të gjithë zinxhirit ushqimor, me qëllim të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës. /Kosova.info/
