Rukiqi: Qetësia dhe përgjegjësia janë arma më e fortë politike e LDK-së, Kuvendi do ta fuqizojë partinë

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Rukiqi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë duke theksuar se arma më e fortë politike e LDK-së ka qenë dhe duhet të mbetet qetësia, durimi dhe përgjegjësia politike.

Rukiqi bën të ditur se Kryesia Qendrore e LDK-së, si organi më i lartë i partisë, do të mbajë takim të hënën, ku pritet të caktohet data për mbajtjen e Kuvendit Qendror të LDK-së. Sipas tij, për këtë arsye nuk janë aspak të nevojshme deklarimet publike në rrjete sociale nga eksponentë të ndryshëm të partisë.

“Ju dilni ofroni dorëheqje dje, sot e nesër, vetëm mos u mundoni këtë protagonizëm politik ta shisni kinse për standard të LDK-së,” shprehet Rukiqi duke kritikuar qasjen e disa zërave publikë brenda partisë.

Ai sqaron se Kuvendi Qendror i LDK-së nuk është vetëm për t’u njoftuar, por edhe për të vendosur për çështje të caktuara dhe të rëndësishme për të ardhmen e partisë. Sipas tij, nga ky kuvend LDK-ja do të dalë më e fuqizuar dhe do të vazhdojë të mbetet një parti konkurruese në vend.

Duke folur në cilësinë e një aktivisti të hershëm të LDK-së, Rukiqi thekson se angazhimi i tij në parti daton që nga mosha 17-vjeçare dhe se nuk është lëkundur asnjëherë në bindjet e tij politike.

“Është krejt legjitime që të jem përkrahës i pathyeshëm i kryetarit aktual të LDK-së, dr. Lumir Abdixhikut,” përfundon Rukiqi.

Në fund të reagimit të tij, Rukiqi thekson se flet si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe delegat i Kuvendit Qendror të partisë duke shprehur besimin se proceset e brendshme do të menaxhohen me përgjegjësi dhe maturi. /Kosova.info/


Go to TOP