Qirezi: Përvojë 30-vjeçare politike dhe akademike, gati për angazhim të mëtejshëm për Kosovën

Arben Qirezi, veprimtar i njohur politik dhe akademik, ka bërë një pasqyrë të karrierës së tij që nis që nga vitet e para të lëvizjes për pavarësi të Kosovës. Qirezi filloi aktivitetin politik në vitin 1991, si pjesë e regjistrimit paralel të popullsisë dhe si zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Forumin Rinor të LDK-së në vitet 1993–1996, ku përfaqësoi Kosovën në forume dhe media ndërkombëtare.

Nga viti 1996 deri në 1998, ai punoi si hulumtues në Qendrën për Studime Ndërkombëtare të Kosovës pranë LDK-së dhe shërbeu si asistent personal i Profesor Fehmi Aganit në takime ndërkombëtare. Në 1998 ai ndoqi studimet Master në Spanjë me rekomandim të Profesor Aganit, dhe pas kthimit në vitin 2000 u angazhua si zyrtar politik në Zyrën e Kanadasë në Kosovë.

Në vitin 2004, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ftoi Qirezit të bëhej zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në koalicion me LDK-në. Pas arrestimit të Haradinajt për gjykim në Hagë, ai u rikthye në qeveri si këshilltar i parë i kryeministrit dhe sekretar i përgjithshëm i Ekipit të Unitetit në vitin 2005. Gjatë kësaj periudhe, Qirezi u zgjodh anëtar i kryesisë së AAK-së dhe fitoi mbështetje masovike nga elektorati i partisë.

Pas pakënaqësive me politikat kadrovike të AAK-së, në 2009 ai iu përkushtua studimeve doktorale në Irlandë, të cilat i përfundoi në 2014. Që nga viti 2008, Qirezi punon si mësimdhënës në institucione të arsimit të lartë dhe si konsulent. Ai ka pasur angazhime në media dhe institucione prestigjioze si Balkan Insight, Institute for War and Peace Reporting, Westminster Foundation for Democracy, USAID, UNDP, ndër të tjera.

Qirezi është gjithashtu autor i punimeve shkencore dhe kapitujve të librave, dhe ka shërbyer si Shkollar Vizitor i Fulbright në Universitetin e Kalifornisë, një nga titujt më të lartë të shkëmbimit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ai aktualisht po punon në publikime akademike të tjera dhe thekson se është plot energji dhe i gatshëm të angazhohet më tej, si në veprimtari akademike ashtu edhe politike, për t’i kontribuar Kosovës, siç ka bërë gjatë gjithë jetës së tij. /Kosova.info/


Go to TOP