Abdixhiku i del në mbrojtje Besian Mustafës: LDK nuk trembet nga mercenarët dhe sulmet e porositura

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit që, sipas tij, po i bëhen Besian Mustafës dhe LDK-së nga “mercenarë politikë” dhe portale të porositura.

Në një reagim publik, Abdixhiku thekson se Besian Mustafa është një politikan shembullor dhe se as ai e as LDK-ja nuk kanë frikë nga zhurma apo nga sulmet e paguara. Sipas tij, LDK nuk matet me tituj të portaleve të mercenarizmit dhe as me opinione që burojnë nga dëshpërimi i atyre që nuk arrijnë të ndikojnë në anëtarësinë e partisë.

“LDK nuk po ju dëgjon dhe nuk po ju llogarit. I keni partitë tuaja – mbajeni duhmën e pazareve mes tyre,” shkruan Abdixhiku duke nënvizuar se kjo parti ka një anëtarësi që e do pa kushte dhe që e mbron në ditë të vështira, në sulme dhe zhgënjime.

Ai thekson se sa herë që LDK është sulmuar, kjo ka ndodhur pikërisht sepse ka qenë e fortë nga brenda. Sipas Abdixhikut, uniteti i partisë është pengesë serioze për pazare politike, pushtete të lehta dhe interesa primitive.

“Sulmet nuk na dobësojnë. Na bëjnë më të qartë pse jemi këtu,” shprehet ai duke shtuar se përgjigjja e LDK-së nuk do të jetë me mllef, por me punë, program dhe besim te shteti dhe qytetari.

Në fund, Abdixhiku rithekson mbështetjen për Besian Mustafën duke e cilësuar si përfaqësues të njerëzve të së ardhmes në LDK, dhe paralajmëron se partia është e gatshme të ballafaqojë hapur mercenarët dhe interesat financiare që, sipas tij, aktivizohen kundër figurave më të mira të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kjo është përgjigjja jonë: qetë, drejt dhe përpara,” përfundon Abdixhiku. /Kosova.info/


Go to TOP