Berisha: Heshtja e Qeverisë pas djegies së “Comodita” është qëndrim kundër ekonomisë vendore

Avokati Besnik Berisha ka reaguar ashpër ndaj mungesës së reagimit institucional pas djegies së fabrikës “Comodita” në Gjakovë duke e cilësuar heshtjen e Qeverisë si të papranueshme dhe të dëmshme për ekonominë vendore.

Sipas Berishës, ndonëse për Lëvizjen Vetëvendosje vëllezërit Devolli janë etiketuar si “oligarkë”, për Kosovën ata përfaqësojnë miliona euro tatime dhe qindra vende pune. Ai thekson se një ngjarje e rëndë si djegia e një fabrike prodhuese meritonte së paku një reagim shtetëror deri më tani.

“Heshtja nuk është neutralitet. Heshtja është qëndrim kundër ekonomisë vendore,” ka deklaruar Berisha duke shtuar se shteti nuk ndërtohet duke fyer punëdhënësit në fushata zgjedhore dhe duke i injoruar ata kur goditet prodhimi dhe puna.

Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për udhëheqje që respekton punën, sipërmarrjen dhe përgjegjësinë shtetërore, veçanërisht në momente krize për bizneset vendore.

Në fund, Berisha ka shprehur keqardhje të thellë për dëmin e shkaktuar nga zjarri në biznesin “Comodita” në Gjakovë duke ritheksuar nevojën për solidaritet dhe reagim institucional ndaj sektorit prodhues në vend. /Kosova.info/


Go to TOP