Demaj: Kur politika ngatërrohet me fenë nga portale fantazmë/ Portale pa emër, shkrime pa peshë
Reagim nga Emanuel Demaj ndaj një shkrimi tendencioz dhe të papërgjegjshëm, njofton Kosova.info.
Shkrimi i publikuar nga një portal që nuk figuron në asnjë listë serioze të mediave të regjistruara përbën një shembull të keq të keqpërdorimit të fjalës së lirë dhe deformimit të realitetit politik. Tentativa për të portretizuar kandidatë për deputet mbi baza fetare është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme për kohezionin shoqëror dhe demokracinë funksionale.
Zgjedhjet janë proces politik dhe qytetar, jo fetar. Etiketimi i kandidatëve si “katolikë” apo “myslimanë” nuk ka asnjë vlerë analitike, nuk i shërben informimit publik dhe nuk ndihmon askënd të kuptojë rezultatin zgjedhor. Përkundrazi, një qasje e tillë synon të krijojë ndarje artificiale dhe të ushqejë tensione që nuk ekzistojnë në realitetin shoqëror të Kosovës.
Ky lloj diskursi nuk e dëmton asnjë kandidat në mënyrë reale, por dëmton rëndë hapësirën publike dhe debatin demokratik. Retorika që përzien politikën me fenë, duke e paraqitur si faktor përfitimi apo humbjeje elektorale, është idioteske, e pavërtetë dhe jashtë çdo standardi profesional të gazetarisë.
Mediat serioze informojnë, analizojnë dhe kritikojnë mbi baza faktesh, jo mbi paragjykime. Portalet “fantazmë”, të menaxhuara nga individë të papërgjegjshëm dhe pa llogaridhënie publike, shpesh shndërrohen në mjete manipulimi që helmojnë diskursin publik dhe cenojnë demokracinë.
Veçanërisht e rrezikshme është përpjekja për të futur në lojë ndarjet fetare mes katolikëve dhe myslimanëve, një bashkëjetesë që në Kosovë ka qenë dhe mbetet vlerë, jo problem. Kushdo që tenton ta përdorë fenë për klikime apo agjenda të ulëta politike, mban përgjegjësi morale për pasojat e një gjuhe të tillë.
Demokracia nuk dëmtohet nga rezultati zgjedhor i individëve, por nga dezinformimi, nga portale të rreme dhe nga shkrime që synojnë përçarjen. Kjo duhet thënë qartë dhe pa ekuivoke.
