Ameti: LDK-ja mund të ringjallet vetëm me një figurë unifikuese dhe rikthimin e GUXO-s
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Sylë Ahmeti, ka komentuar për Kosova.info situatën aktuale brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilat LDK-ja shënoi rënie duke u ndalur në rreth 13 për qind.
Sipas Ahmetit, LDK-ja ndodhet në një moment vendimtar që kërkon reflektim të thellë dhe ndryshim qasjeje. Ai thekson se partisë i duhet një figurë unifikuese, e cila përfaqëson një urë lidhëse mes brezit të vjetër dhe brezit të ri të strukturës së anëtarësisë.
“Duhet një njeri i mesit, mes brezit të vjetër dhe brezit të ri të LDK-së, për ta rikthyer besimin dhe kohezionin e brendshëm,” ka deklaruar Ahmeti.
Ai shton se po ashtu është e domosdoshme “kthjellimi i kokave të turbulluara” brenda partisë duke krijuar një ambient politik që mundëson rikthimin e Listës GUXO në LDK. Sipas tij, një hap i rëndësishëm në këtë drejtim do të ishte mbështetja dhe votimi i Vjosa Osmanit për një mandat të dytë presidencial.
“Vetëm përmes këtyre hapave mund të ringjallet LDK-ja,” vlerëson Ahmeti.
Në këtë kontekst, ai përmend edhe emrin e Lutfi Hazirit duke theksuar se Haziri është rritur politikisht me LDK-në që nga koha e presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe përfaqëson një figurë me përvojë të gjatë brenda partisë.
Komentet e Ahmetit vijnë në një periudhë kur LDK-ja po përballet me debat të brendshëm dhe kërkesë për reforma, pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet e fundit. /Kosova.info/
