Arifi: Vetëm rreth 25% e Kosovës votoi për VV – Rrena nuk bëhet e vërtetë me shumicë

Ish kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar ashpër pas rezultateve zgjedhore duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin moral dhe politik të fitores së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Arifit, nga rreth 2 milionë votues të regjistruar, në zgjedhje kanë dalë rreth 900 mijë qytetarë, ndërsa afërsisht 450 mijë prej tyre kanë votuar për Vetëvendosjen. “Kjo do të thotë se vetëm rreth 25% e gjithë Kosovës kanë mbështetur VV-në”, ka shkruar ai duke e cilësuar këtë mbështetje si të përkohshme dhe të ndërtuar mbi manipulim, mashtrim dhe blerje vote.

Ai thekson se vota nuk e shndërron rrenën në të vërtetë dhe as nuk i jep më shumë të drejtë një politike që, sipas tij, është ndërtuar mbi gënjeshtrën për më shumë se 20 vjet. “Shumica jo gjithmonë është pasqyrim i së vërtetës. Në këtë rast, ajo është bazë për të mashtruar, për të gënjyer dhe për të vjedhur edhe më shumë”, ka deklaruar Arifi duke paralajmëruar qytetarët që nesër të mos ankohen, pasi sipas tij, “i kanë ditur të gjitha”.

Në reagimin e tij, Arifi ka kritikuar ashpër edhe mentalitetin e votës së inatit duke thënë se “inati i shqiptarit ia shuan mendjen dhe logjikën e shëndoshë”, një fenomen që, sipas tij, është përsëritur shpesh në historinë politike shqiptare dhe ka prodhuar pendesë kolektive.

Sa i përket diasporës, Arifi ka kërkuar që ajo të mos fajësohet për rezultatin duke theksuar se përgjegjësia bie mbi opozitën, e cila, sipas tij, nuk ka pasur as lider dhe as strategji përballë një kundërshtari që “prej 20 vitesh komunikon rrenën intensivisht”.

“Albini nuk lëshoi pe – e pse të lëshojmë pe ne?”, shprehet Arifi duke theksuar se e vërteta qëndron mbi votën e inatit dhe mbi çdo shumicë të ndërtuar mbi mashtrim. Ai ka rikujtuar se që nga viti 2017 nuk ka bërë asnjë kompromis ndaj asaj që e quan rrenë politike dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në këtë qëndrim edhe në të ardhmen.

“E vërteta ia vlen të mbrohet, edhe nëse je i vetëm kundër të gjithëve”, ka përfunduar Arifi. /Kosova.info/


Go to TOP