Hadergjonaj: Verdikti i qytetarëve respektohet – LDK mbetet themel i shtetit dhe vlerave demokratike

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Fadil Hadergjonaj – Bjeshka, me numër 20, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve duke theksuar se rezultati zgjedhor është verdikt i qytetarëve dhe duhet të respektohet pa asnjë ekuivok apo justifikim.

Hadergjonaj ka pranuar se LDK nuk arriti rezultatin që synonte duke vlerësuar se angazhimi, puna dhe oferta politike e partisë nuk u shpërblyen me besimin e pritur. “Kjo është e vërteta dhe duhet thënë hapur”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, LDK gjatë fushatës u sulmua dhe u denigrua nga të gjitha anët, por kjo nuk është një situatë e panjohur për partinë. “Dikur, në këtë pozitë ishte vetë Kosova. Por as Kosova atëherë, as LDK sot, nuk u mposhtën”, ka theksuar Hadergjonaj.

Ai ka rikujtuar rolin historik të LDK-së në ndërtimin e shtetit të Kosovës duke nënvizuar se kjo parti ka qenë themel i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, si dhe bartëse e proceseve më të rëndësishme kombëtare. “Këto janë fakte që nuk fshihen dot”, ka shtuar ai.

Hadergjonaj ka vënë në pah se LDK përfaqëson vlera që nuk konsumohen me një palë zgjedhje, si qytetërimi politik, kultura shtetformuese, tradita demokratike dhe orientimi euro-atlantik duke mbrojtur interesat strategjike të Kosovës dhe jo interesat e momentit.

Duke folur për fushatën zgjedhore, ai ka theksuar se LDK ofroi programin më serioz dhe më të përgjegjshëm qeverisës, të ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve dhe të shpalosur nga kandidati për kryeministër, Dr. Lumir Abdixhiku, i mbështetur nga kuadrot më të përgatitura për ta zbatuar atë. Megjithatë, siç tha ai, qytetari vendosi ndryshe dhe kjo zgjedhje duhet respektuar.

Në fund, Hadergjonaj ka falënderuar strukturat e LDK-së, aktivistët, simpatizantët dhe votuesit për mbështetjen dhe besimin e dhënë duke theksuar se kjo mbështetje përbën një përgjegjësi morale dhe politike.

Ai ka bërë thirrje për reflektim të thellë brenda LDK-së, pa fajësime e ndarje, por me unitet, guxim politik dhe vendime të qarta për ecje përpara. Sipas tij, analiza duhet të jetë e ndershme dhe kolektive.

Hadergjonaj po ashtu ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që sa më shpejt të përfundojë numërimin dhe certifikimin e rezultateve, në mënyrë që Kosova të ketë institucione funksionale.

“LDK nuk është rastësi. LDK është histori. LDK është përgjegjësi. LDK është dashni”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP