Limaj kërkon votën për 28 dhjetorin: Do ta çajmë rrethimin politik, bashkimi ka filluar nga baza
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar votën e qytetarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit duke theksuar se qëllimi i tij është, siç u shpreh, çarja e rrethimit politik dhe fuqizimi i bashkimit politik në vend.
Gjatë tubimit hapës të fushatës elektorale të mbajtur në Prishtinë, Limaj tha se nuk do të heqë dorë nga ideja e bashkimit dhe nga bashkëpunimi me PDK-në në Kuvend pas zgjedhjeve të parakohshme.
“Unë nuk heq dorë. Kam vendosur të shkoj drejt një bashkimi me juve bashkë. Prandaj bashkohuni ta çajmë rrethimin dhe ta bashkojmë fuqinë tonë së bashku. Gjithë Drenica, Malisheva dhe e gjithë Kosova, bashkohuni ta çajmë edhe këtë rrethim bashkë,” tha Limaj.
Ai theksoi se bashkimi është pritur pozitivisht edhe nga mërgimtarët dhe bashkëluftëtarët që jetojnë jashtë vendit duke shtuar se kjo energji është e mjaftueshme për fitore.
“Është e vërtetë që plot mërgimtarë dhe bashkëluftëtarë tanë që janë në mërgim, me zemër plot kanë pritur bashkimin. Ata e dinë se me këtë energji mund të fitojmë. Ne do të bashkohemi dhe rrugën e bashkimit askush nuk e ka ndalur, nuk mundet me e ndal as këta në Prishtinë. Bashkimi ka filluar nga baza dhe do të kurorëzohet më 28 dhjetor duke votuar 122, simbolin e bashkimit,” u shpreh Limaj.
Më tej, ai u bëri thirrje qytetarëve që të rreshtohen krah tij dhe bashkëpunëtorëve të tij duke e cilësuar veten si njeri të veprave dhe jo të fjalëve.
“Krejt çka thonë ata janë fjalë. Para vetes e keni njeriun dhe bashkëpunëtorët e tij që fjalët i kthejnë në vepra. Qytetarët e Kosovës e kanë mundësinë të rreshtohen rreth veprave, angazhimeve dhe rreth atyre që kanë ndryshuar jetën e tyre,” përfundoi Limaj. /Kosova.info/
