Serbia nis fushatën publike të ndikimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë
Shkrun: Dr. Gurakuç KUÇI – Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor në Kolegjin UNI
Serbia publikisht ka nisur një fushatë të drejtpërdrejtë ndikimi në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë. Ky operacion hibrid politik i centralizuar u artikulua në publik nga Millosh Vuçeviq, kryetar i SNS-së dhe këshilltar i Presidentit të Serbisë për çështjet rajonale, i cili e pozicionoi Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme legjitime të serbëve në Kosovë dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të votojnë.
Në thelb, kjo është një fushatë disiplinuese dhe centralizuese që synon të eliminojë çdo alternativë tjetër politike serbe dhe ta bëjë të pavlefshme cdo hapësirë demokratike.
Vuçeviq e kornizon votën si akt ekzistencial, duke nënkuptuar se mosmbështetja e Listës Serbe përbën tradhti ndaj kombit serb. Ai flet qartazi si drejtues fushate nga Beogradi për një proces zgjedhor që zhvillohet në Kosovë, pa asnjë përpjekje për ta maskuar këtë rol.
Kjo konfirmon se prioriteti i Serbisë nuk është mbrojtja e interesave reale të serbëve në Kosovë, por ruajtja e ndikimit politik përmes monopolizimit të përfaqësimit dhe instrumentalizimit të komunitetit serb.
Në terma profesionalë, kjo përbën një operacion hibrid të ndikimit politik, tipik për qasje autoritare që përdorin zgjedhjet si mjet kontrolli dhe presioni gjeopolitik.
