Haradinaj: Nga krismat e Mujë Krasniqit u këndua kënga e lirisë, lavdi dëshmorëve të UÇK-së
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Mujë Krasniqin, Ali Krasniqin, Shkëlzenin, Luanin, Dautin dhe dhjetëra luftëtarë të tjerë, si ndër themeluesit e parë të celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u rreshtuan krah për krah në betejat më të rënda për liri.
Haradinaj ka theksuar se Mujë Krasniqi, bashkë me 41 luftëtarë të UÇK-së, ra heroikisht në male duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe nderin e atdheut duke u përjetësuar në historinë e lavdishme të luftës çlirimtare të Kosovës.
“Aty ku jehuan krismat e pushkëve të Mujës me shokë e shoqe, aty u këndua kënga e lirisë. Krisma dhe këngë u bënë një për Kosovën e lirë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka kujtuar se pikërisht në përvjetorin e rënies së tyre, 20 vjet më vonë, amaneti i dëshmorëve u jetësua me themelimin e Ushtrisë së Kosovës duke u realizuar ëndrra e kamotshme për një forcë të rregullt shtetërore.
Në fund, Haradinaj ka nderuar sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së me mesazhin: “Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorët e saj. Lavdi!”. /Kosova.info/
