Aliu i LDK-së me numër 50: Llapi është shpirti i ringritjes sonë
Kandidati për deputet nga LDK-ja, Fadil Aliu, ka zhvilluar një vizitë politike në Podujevë, ku bashkë me kryetarin e LDK-së dhe kandidatin për kryeministër, dr. Lumir Abdixhiku, kryetarin e Prishtinës Përparim Rama dhe kryetarin e LDK-së në Podujevë, dr. Ekrem Hyseni, është pritur nga strukturat lokale dhe qytetarë të shumtë të Llapit.
Aliu ka bërë të ditur se takimet në qendër të Podujevës ishin të hapura dhe të drejtpërdrejta, me qytetarë që sipas tij e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre dhe kanë vendosur për shpresën. Ai ka theksuar se Llapi mbetet një nga shtyllat më të forta të LDK-së, me rrënjë të thella historike dhe politike.
Në postimin e tij, Aliu ka kujtuar figurat emblematike të LDK-së që dolën nga Llapi, përfshirë Xhemail Mustafën dhe Enver Malokun, duke nënvizuar lidhjen e pandashme mes kësaj zone dhe vizionit rugovian.
Ai ka bërë thirrje për angazhim maksimal drejt 28 dhjetorit, duke theksuar se forca e LDK-së vjen nga uniteti dhe mobilizimi në baza të forta si Llapi. Vizita është mbyllur me falënderime për mikpritjen dhe mbështetjen e qytetarëve, ndërsa Aliu e ka cilësuar Llapin si zemrën e kësaj ringritjeje politike.
