Ahmeti: Edhe Shkupi u rreshtua për liri dhe drejtësi për çlirimtarët tanë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka deklaruar se edhe Shkupi, pas Tiranës dhe Prishtinës, ka dhënë provimin kombëtar duke u rreshtuar përkrah kërkesës për liri dhe drejtësi për çlirimtarët shqiptarë.
Në një mesazh me tone të forta kombëtare, Ahmeti theksoi se shqiptarët kanë folur njëzëri duke kërkuar që luftëtarët e UÇK-së të kthehen në shtëpi sa më parë. “Është koha që djemtë tanë të kthehen në shtëpi”, u shpreh ai duke theksuar se kjo kërkesë buron drejtpërdrejt nga vullneti i popullit.
Sipas Ahmetit, lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, ndërsa akuzat ndaj çlirimtarëve janë të padrejta. “Në emër të popullit: djemtë tanë janë të pafajshëm, lufta jonë është e pastër”, theksoi ai.
Kreu i BDI-së nënvizoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e shenjtë dhe se kjo përbën një vlerë të përbashkët për të gjithë shqiptarët, pa dallim moshe apo gjinie. “Ne të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, burra e gra, jemi UÇK”, deklaroi Ahmeti.
Në fund, ai bëri homazhe për dëshmorët e kombit duke theksuar se sakrifica e tyre ndër dekada e shekuj mbetet themel i shqiptarisë dhe i lirisë. “Lavdi dëshmorëve të kombit dhe shqiptaria qoftë e përjetshme”, përfundoi Ahmeti. /Kosova.info/
