Abdixhiku në Podujevë: LDK është shtëpia e përbashkët e atyre që besojnë dhe kontribuojnë me zemër
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kaluar ditën e shtunë në Podujevë, në një takim të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë me qytetarë e veprimtarë të LDK-së.
Gjatë vizitës, Abdixhiku zhvilloi ecje në shesh, u ndal për një çaj llapi dhe bashkëbisedoi me qytetarë që, siç u shpreh ai, e mbajnë LDK-në gjallë çdo ditë – si në kohë të mira, ashtu edhe në kohë të vështira, pa kushte e pa llogari.
Ai theksoi se dyert e LDK-së do të mbeten gjithmonë të hapura për secilin që beson në vlerat e saj dhe që kontribuon me përkushtim e zemër për këtë shtëpi të përbashkët politike.
Në fund të vizitës, Abdixhiku falënderoi qytetarët e Podujevës për mikpritjen, ngrohtësinë dhe respektin e treguar duke nënvizuar rëndësinë e lidhjes së vazhdueshme me qytetarët në çdo cep të Kosovës. /Kosova.info/
