Policia e Kosovës përmbyll fushatën “16 Ditët e Aktivizmit”, ndriçon selinë me ngjyrë portokalli dhe apelon për raportim të dhunës
Policia e Kosovës, përmes Divizionit të Policimit në Bashkësi dhe Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, sot ka përmbyllur zyrtarisht fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e cila u zhvillua nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor 2025 në të gjitha komunat e vendit.
Kjo periudhë intensive e angazhimit publik u shënua me aktivitete të shumta vetëdijesuese në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet”. Policia ka realizuar shfaqjen e video-spoteve sensibilizuese, ka shpërndarë fletushka dhe postera informues, si dhe ka organizuar takime të drejtpërdrejta me qytetarë, nxënës, përfaqësues të pushtetit lokal dhe institucione partnere. Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve ka qenë rritja e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje, mbrojtjen e viktimave dhe forcimin e bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve.
Në shenjë solidariteti me viktimat dhe si pjesë e mbështetjes globale për fushatën, objektit i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës u ndriçua me ngjyrë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00. Ky akt simbolik u realizua me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme duke reflektuar përkushtimin institucional në luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe ofrimin e një përgjigjeje të koordinuar.
Policia e Kosovës theksoi se përkushtimi në parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të të gjitha formave të dhunës në familje mbetet prioritet i përhershëm, përtej këtyre 16 ditëve të fushatës ndërkombëtare. Institucioni nënvizon se angazhimi i shoqërisë dhe raportimi i rasteve janë thelbësore për të shpëtuar jetë dhe për të garantuar sigurinë e të gjithëve.
Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo rast dhune përmes numrit emergjent 192, linjës së veçantë pa pagesë 0800 19999, si dhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
“Zëri juaj shpëton jetë,” përmbyll apelin e saj Policia e Kosovës duke rikonfirmuar vizionin për një shoqëri të sigurt, të drejtë dhe të mbrojtur për të gjithë. /Kosova.info/
