TOP 8 në Ferizaj mbyll edicionin 2025 me duele të forta dhe rivalitet të ngushtë
Në palestrën “Tefik Çanga” në Ferizaj u zhvilluan dy turnetë e fundit të serisë TOP 8 për kategorinë U15 dhe për seniorët, duke mbyllur kështu ciklin garues për vitin 2025.
Te vajzat U15, Zana Bllaca e dominoi turneun dhe i fitoi të gjitha ndeshjet. Pas saj u rendit Hana Murseli me një paraqitje shumë të mirë dhe vetëm një humbje, ndërsa vendi i tretë i takoi Lira Hashanit. Amra Gashi, që kryeson renditjen vjetore, këtë herë e mbylli garën në pozitën e katërt. Vlera Beqa doli e pesta, ndërsa Verore Beqa e gjashta. Maxhire Sojeva mori vetëm një fitore dhe u rendit e shtata, ndërsa Tuana Qerkini mbeti e teta pa fitore. Dy të fundit zhvilluan vetëm tre xhirot e para, teksa ndeshjet tjera u regjistruan me rezultat zyrtar.
Garë shumë më e ngushtë u pa te djemtë U15. Katër lojtarë i mbyllën ndeshjet me bilanc identik 5 me 2. Pas kalkulimeve, Amant Sejdiu doli fitues i turneut, i ndjekur nga Imran Duraki dhe Olti Behluli, ndërsa Ari Krasniqi u rendit i katërti. Rejan Krasniqi mori vendin e pestë, Muhamet Mudut të gjashtin, ndërsa Ajan Vranovci dhe Enes Vranovci e mbyllën garën në dy pozitat e fundit.
Ndërkohë, paralelisht u zhvillua edhe TOP 8 për seniorë.
Te femrat, Shega Hashani u tregua e pamposhtur dhe e fitoi turneun me meritë. Për vendin e dytë pati barazi mes Leoresa Imerit, Lenë Osmanit dhe Alma Mehmetit, me nga pesë fitore secila. Nga llogaritja e ndeshjeve direkte, Leoresa mori pozitën e dytë, Lena të tretën dhe Alma të katërtën. Edolinda Alimehaj u rendit e pesta falë fitores në duelin direkt me Anisa Domanikun, e cila përfundoi e gjashta. Taibe Ruli mori një fitore dhe doli e shtata, ndërsa Jona Hashani mbeti e teta.
Te meshkujt seniorë, Kreshnik Mahmuti vazhdoi serinë dominuese dhe i fitoi të gjitha ndeshjet. Fatih Karabaxhaku u rendit i dyti me vetëm një humbje, ndërsa vendi i tretë i takoi Blend Hajdarit. Me nga tri fitore u ndalën Dardan Imami dhe Murat Kurtulush, por Dardani fitoi duelìn mes tyre dhe mori vendin e katërt. Në pozitën e gjashtë u rendit Akil Mahmuti, ndërsa Enes Domaniku dhe Arti Karabaxhaku përfunduan me nga një fitore. Falë fitores në ndeshjen direkte, Enesi u rendit i shtati dhe Arti i teti./Kosova.info/
