Kabashi: Është koha ta ndalim rrëshqitjen drejt autokracisë – me numrin 41 për një kapitull të ri
Festim Kabashi ka zyrtarizuar sot kandidimin e tij për deputet në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke theksuar se ky angazhim vjen me nder, përgjegjësi dhe përkushtim të plotë për vendin. Ai do të garojë me numrin 41 në listën #LDK123.
Kabashi u shpreh se kandidimi i tij nuk është vetëm një hap politik, por një detyrim moral për të kontribuar në rikthimin e normalitetit institucional dhe për të frenuar, siç tha, rrëshqitjen e Kosovës drejt autokracisë. Sipas tij, ky është momenti vendimtar për ta ndalur degradimin politik dhe propagandën që po dëmton themelet demokratike të vendit.
“Me nder dhe përgjegjësi të madhe ju njoftoj se do të jem pjesë e listës së LDK-së për deputet. Kjo garë për mua është përgjegjësi, energji e përkushtim që, së bashku me ekipin e LDK-së, ta sjellim ndryshimin e vërtetë në Kosovë,” deklaroi Kabashi.
Ai paralajmëroi se Kosova po përballet me një rrezik të madh institucional dhe politik duke theksuar se vetëm me votë mund të shmanget rrënimi i mëtejshëm i Republikës.
“Vendi ynë sot po rrëshqet para syve tanë drejt një autokracie, prandaj është momenti i fundit që ta ndalim me votë propagandën dhe degradimin e mëtejshëm,” shtoi ai.
Duke e mbyllur njoftimin me një thirrje mobilizuese, Kabashi u bëri thirrje qytetarëve që të besojnë në mundësinë e një kthese pozitive.
“Numri im në listën 123 do të jetë 41. Le ta hapim një kapitull të ri për Kosovën,” përfundoi ai. /Kosova.info/
