Rama uron Diamant Hysenajn për kandidimin në Kongres: Rrugëtimi yt nga Gjakova është frymëzim për gjithë komunitetin shqiptar

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përgëzuar Diamant Hysenajn për kandidimin në primaret e Partisë Republikane në Distriktin 14 të Nju Jorkut duke e cilësuar atë si një histori suksesi që pasqyron ëndrrën amerikane dhe përfaqësimin e rritur të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Rama e përshkroi Hysenajn si një bashkëqytetar me rrënjë nga Kosova dhe si një shembull frymëzues për të rinjtë, për mërgatën dhe për të gjithë shqiptarët që e shohin angazhimin qytetar si mundësi për të kontribuar në shoqëri. Ai theksoi se rrugëtimi i Hysenajt, nga Gjakova deri në një garë për Kongres, është dëshmi e vullnetit, punës dhe ambicies së një gjenerate që po forcon gjithnjë e më shumë zërin e saj në politikën amerikane.

Në urimin e tij zyrtar, kryetari Rama nënvizoi rëndësinë e këtij hapi jo vetëm për kandidatin, por edhe për gjithë komunitetin shqiptar që, sipas tij, “po rritet në përfaqësim, në besim dhe në ndikim qytetar”. Ai i uroi Hysenajt suksese të sinqerta në garën e rëndësishme zgjedhore duke shprehur besimin se me punë të palodhur, vizion të qartë dhe afërsi me njerëzit, ai do të mund të përfaqësojë denjësisht qytetarët e distriktit të tij.

“Urime nga zemra”, përfundoi Rama duke shoqëruar mesazhin me simbolet e SHBA-së dhe Kosovës, si shenjë e dy lidhjeve të forta që e karakterizojnë këtë histori suksesi. /Kosova.info/


Go to TOP