Abelard Tahiri heq dorë nga Top 10 në listën e PDK-së

Ish-ministri i Drejtësisë dhe një nga figurat më të spikatura të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka njoftuar sot se i ka kërkuar Kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, të mos e përfshijë në dhjetëshen e parë të listës garuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Tahiri e ka quajtur këtë një vendim të menduar mirë dhe të domosdoshëm për kulturën e brendshme politike të partisë.

Në një adresim publik, ai theksoi se gjatë karrierës së tij ka mbajtur pozita kyçe në institucionet e Republikës së Kosovës: plot 9 vite ka shërbyer si këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi, në Qeveri dhe në Presidencë; gati 3 vite ka ushtruar detyrën e Ministrit të Drejtësisë; dhe për 5 vite ka qenë Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së duke u emëruar në këtë rol dy herë radhazi.

Tahiri u shpreh se ky është moment reflektimi për secilin individ brenda partisë, sepse, siç tha ai, “numrat nuk trashëgohen dhe nuk i kemi me tapi”. Sipas tij, politikanët me përvojë kanë përgjegjësinë të krijojnë hapësirë për gjeneratën e re të PDK-së që të marrë më shumë përgjegjësi dhe të përfaqësohet denjësisht në legjislaturën e ardhshme.

Ai konfirmoi se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve, por jo në dhjetëshen e parë duke e konsideruar këtë si hap të duhur për të nxitur frymë të re e dinamike brenda partisë. Në fund të deklaratës, Tahiri shprehu mbështetjen e tij të plotë për kryetarin Bedri Hamza, për të cilin tha se është “Kryeministri i ardhshëm i Kosovës”. /Kosova.info/


Go to TOP