Ymeri: Qeveria po mashtron për importet e rrymës – GEN-i nuk do të thotë Slloveni, energjia vjen nga Serbia e Bosnja

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur dyshime serioze mbi deklarimet e Qeverisë së Kosovës sa i përket importeve të energjisë elektrike duke thënë se po manipulohet opinioni publik me pretendime të rreme për burimet e rrymës.

Ymeri thekson se, sipas të dhënave zyrtare të institucioneve sllovene, gjatë vitit 2024 e deri më sot Sllovenia nuk ka eksportuar energji elektrike drejt Kosovës, çka bie ndesh me deklarimet e pushtetit se vendi po furnizohet nga Sllovenia dhe Danimarka.

Ajo sqaron se GEN-i, kompania përmes së cilës po realizohen importet, është e regjistruar në Slloveni, por kjo nuk nënkupton që energjia fizikisht prodhohet atje. Sipas saj, burimet reale të energjisë së importuar janë vendet e rajonit, kryesisht Serbia dhe Bosnja, të cilat kanë kapacitete të larta eksportuese.

“Qeveria ka tentuar të krijojë përshtypjen se jemi bërë ‘evropianë në energji’ duke përmendur Danimarkën e Slloveninë. Por rryma nuk gjenerohet me shkrim. Nëse një vend nuk ka suficit, nuk mund të eksportojë,” ka deklaruar Ymeri.

Ajo riktheu edhe çështjen e GEN-it dhe lidhjes me Martin Berishajn duke akuzuar pushtetin se nuk po ndërmerr asnjë hap ligjor për të trajtuar rastin, as ndaj “Martin-it, as ndaj Vuk-ut”, ndërkohë që sipas saj “Elektroprivreda Srbije e shet rrymën më lirë në Kosovë sesa ne vetë”.

Ymeri u shpreh e zhgënjyer që, sipas saj, figura të ndryshme publike po përdoren vetëm për të penguar hapjen e dokumenteve zyrtare. Ajo theksoi se faktet teknike dhe fizike nuk mund të anashkalohen: në hapësirën e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe Shqipërinë, vetëm Serbia dhe Bosnja kanë suficit për eksport të energjisë elektrike.

“Excel-i i doganës mund të shkruajë çdo gjë, por rryma nuk gjenerohet në letër,” përfundoi Ymeri duke kërkuar transparencë të plotë nga qeveria për kontratat dhe rrjedhën reale të energjisë drejt Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP