Maliqi: Mbështetje e fortë për Kosovën në Kongresin Amerikan, por energjitë diplomatike mbeten të shpërdoruara

Analisti Agon Maliqi ka komentuar se seanca e djeshme në Kongresin Amerikan tregoi një qëndrim jashtëzakonisht pozitiv ndaj Kosovës. Sipas tij, të tre dëshmitarët dhe kongresmenët shprehën mbështetje për shtetin e Kosovës dhe për përpjekjet e tij për integrim në NATO.

Maliqi thekson se madje në këtë seancë u diskutuan edhe nisma legjislative për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai shton se situata është e ngjashme edhe në shumë parlamente evropiane, ku Kosova ka mbështetje të gjerë.

“Problemi nuk është frika nga ndonjë braktisje, por potencialet e mëdha diplomatike të pashfrytëzuara dhe energjitë e shpenzuara në drejtim të gabuar, që kanë prodhuar konflikte të panevojshme dhe humbje të besimit”, shprehet Maliqi.

Ai nënvizon se miqtë e shumtë të Kosovës ndodhen në një pozicion ku nuk po dinë si ta ndihmojnë një vend që nuk po di të ndihmojë vetveten dhe që ka prioritete të tjera përveç integrimeve ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP