Ahmeti: Debati për diasporën është bërë fushatë; ligji për votimin jashtë vendit nuk mund të ndryshohet tani
Ish kryetari PSD-së, Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj debatit të ditëve të fundit për votimin e diasporës duke theksuar se e drejta e votës është e garantuar për çdo shtetas të Kosovës, kudo që ndodhet, por mundësia e ushtrimit të kësaj të drejte varet nga siguria dhe kredibiliteti i procesit.
Ai sqaroi se votimi në Kosovë zhvillohet në ambiente të kontrolluara si shkollat, të cilat ofrojnë komisionerë, vëzhgues dhe kushte të rregulluara. Për këtë arsye, sipas Ahmetit, procesi duhet të mbetet i sigurt dhe i organizuar sipas procedurave të përcaktuara me ligj.
Ahmeti kujtoi se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, Kuvendi ka miratuar ligjin që mundëson votimin e diasporës në ambasada dhe konsullata duke e vlerësuar këtë si hap të rëndësishëm në lehtësimin e procesit dhe rritjen e besueshmërisë së tij. Megjithatë, ai theksoi se për këto zgjedhje rregullat janë tashmë të përcaktuara dhe nuk mund të ndryshohen.
“Me këtë ligj po hyjmë në këto zgjedhje dhe s’ka mundësi ndryshimi. Çfarëdo diskutimi se kush e don më shumë diasporën është veç fushatë dhe s’ka asnjë bazë,” u shpreh Ahmeti.
Ai u bëri thirrje partive politike që të ndalojnë garën se kush mbron më shumë diasporën dhe të prezantojnë plane konkrete për formimin e qeverisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Shumë e dhimbshme në çka po synohet me fitu vota,” përfundoi Ahmeti. /Kosova.info/
